Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se tre kompani ndërkombëtare janë kualifikuar për fazën e dytë të ankandit të parë për energji nga era, me kapacitet prej 100 megavatësh. Ky projekt zhvillohet me përkrahjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).


Sipas komunikatës zyrtare, më 20 shkurt janë pranuar aplikacionet nga këto kompani:


Akuo Energy nga Franca,


Gürië nga Turqia,


Konsorciumi Notus/Stublla Energy nga Gjermania dhe Kosova.


Komisioni vlerësues ka konstatuar se të tria kompanitë i përmbushin kriteret ligjore, teknike dhe financiare për këtë fazë të garës dhe do të kalojnë në fazën e dytë të procesit.


Ministria ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të shpallet Kërkesa për Propozime për këto kompani të kualifikuara, proces i cili do të zgjasë rreth gjashtë muaj dhe do të zhvillohet sipas standardeve më të larta të transparencës.


Gjatë kësaj periudhe, do të mbahet edhe konferenca e para-ofertimit me investitorët e përzgjedhur, ku bashkë me IFC-në do të prezantohen struktura e projektit dhe detajet e marrëveshjeve kontraktuale.


Pas fazës së pyetjeve dhe përgjigjeve, kompanitë do të dorëzojnë ofertat e tyre përfundimtare. Propozimet do të vlerësohen në bazë të kritereve ligjore, teknike, mjedisore dhe sociale, ndërsa vetëm ofertat që i plotësojnë të gjitha këto kushte do të kalojnë në hapjen e ofertave financiare.


"Fituesi i projektit do të përzgjidhet në bazë të ofertës me çmimin më të ulët për MWh, i cili duhet të jetë nën çmimin tavan të përcaktuar nga rregullatori i energjisë", thuhet në njoftim.


Ministria e Ekonomisë ka theksuar se objektivi kryesor është transparenca gjatë të gjithë procesit, ulja e rrezikut të projektit dhe mbrojtja e konsumatorit nga çmime të larta në të ardhmen. Kjo iniciativë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më modern, të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për qytetarët e Kosovës.

Ky informacion është marrë nga Zëri.

Comments (0)