Pasi Prokuroria e Specializuar e Hagës përmbylli çështjen e saj duke dorëzuar të gjitha provat në gjykatë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, mbrojtja nisi kërkesë për trupin gjykues.


Kështu, avokatët e Veselit, Krasniqit dhe Selimit kërkuan që klientët e tyre të lirohen përkohësisht, meqë edhe dëshmitarët e prokurorisë përfunduan.


Mirëpo, pas kësaj kërkese ka reaguar Prokuroria e Specializuar, e cila në një vendim të publikuar në faqen e speciales ka kundërshtuar një gjë të tillë.


Ajo njoftoi se tash e dy vjet ka në dispozicion edhe disa përgjime nga qendra e paraburgimit, të cilat ka vendosur t’i dorëzojë tani pas mbylljes së çështjes.


Sipas prokurorisë, përgjimet dëshmojnë se pse Veselit dhe Krasniqit nuk duhet t’u aprovohet kërkesa për lirim të përkohshëm nga paraburgimi.


“Këto materiale janë transkripta të regjistrimeve të vizitave jo të privilegjuara nga qendra e paraburgimit, materialet e sekuestruara që lidhen me ato regjistrime dhe një regjistër vizitash në qendrën e paraburgimit. Eksponatet e propozuara, të përcaktuara në shtojcat 1-2-4, janë prima facie relevante, autentike dhe kanë vlerë provuese që nuk tejkalohet nga asnjë paragjykim,” thuhet në reagim.


Tutje, sipas prokurorisë, përgjimet nga qendra e paraburgimit tregojnë se ish-krerët e UÇK-së duan ta ndikojnë tek dëshmitarët.


“Transkriptet shtesë të Qendrës së Paraburgimit hedhin dritë domethënëse mbi sjelljen e Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit në Qendrën e Paraburgimit. Këto transkripta tani janë të një rëndësie të veçantë në kontekstin e procesit gjyqësor në pritje të lirimit të përkohshëm, dhe tregojnë se si Hashim Thaçi nuk është i vetmi i akuzuar që ka abuzuar me vizitat e tij jo të privilegjuara.”


Tutje, prokuroria vlerëson se këto përgjime demonstrojnë se të akuzuarit shkelin urdhrat e gjykatës, shkelin fshehtësinë e procedurave dhe tentojnë në mënyrë të paligjshme të ndikojnë te dëshmitarët e Prokurorisë, e që do të përbënte rrethanë rënduese kundër të akuzuarve.


Në këtë vendim, Prokuroria përmend klimën e frikësimit të dëshmitarëve dhe besueshmërinë e dëshmitarëve të Prokurorisë.


“Udhëheqësit e UÇK-së dhe zyrtarët e nivelit të lartë të qeverisë së Kosovës janë të kapitalizuar në një histori të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë për të përhapur informacione konfidenciale ose për të dhënë udhëzime se si të dëshmojnë, duke vërtetuar frikën e këtyre dëshmitarëve, veçanërisht duke pasur parasysh se një sjellje e tillë bie ndesh me urdhrat e qarta gjyqësore në këtë rast,” thuhet në kundërshtimin e Prokurorisë për lirimin e të akuzuarve.

Ky informacion është marrë nga Zëri.

Comments (0)