
Ditën e mërkurë u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë tenori Dhimitër Dushi, një figurë e shquar e muzikës klasike, asaj të lehtë dhe popullore shqiptare. Ai lindi më 7 tetor 1947 në lagjen karakteristike Mangalem të Beratit.
Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1976, Dhimitri nisi punën në Estradën Profesioniste të Beratit, duke u bërë një ndër emrat më të dashur të publikut vendas. Me hapjen e shkollës së mesme artistike “Ajet Xhindole”, ai u emërua mësues në degën e kantos, ku për vite me radhë formoi breza të rinj këngëtarësh deri në daljen e tij në pension.
Karriera e Dhimitër Dushit është një pasuri e vërtetë për muzikën shqiptare, me mbi 600 interpretime që përfshijnë arie të klasikëve të mëdhenj botërorë, këngë të muzikës së lehtë dhe, në vitet e fundit, këngë popullore të repertorit beratase. Ai ka marrë pjesë në 8 Festivale Kombëtare të Këngës në RTSH, në Festivalet Folklorike Kombëtare në Gjirokastër, në Festivalet e Këngës Qytetare, si dhe në turne ndërkombëtare në Greqi, Turqi, Itali, Kroaci, Kosovë e më gjerë.
Edhe pas daljes në pension, zëri i Dhimitrit nuk pushoi së ngjalluri emocion, ai vazhdoi të këndojë në çdo aktivitet ku thirrej, duke dëshmuar dashurinë e tij të thellë për artin dhe publikun.
Për kontributin e tij të çmuar, Dhimitri është vlerësuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Medaljen “Naim Frashëri” dhe është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak i Beratit./euronews
Ky informacion është marrë nga Zëri.
Comments (0)