Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka deklaruar se shëndeti dhe mirëqenia e lojtarëve mbetet një nga prioritetet kryesore për organin më të lartë të futbollit botëror, në një kohë kur po rriten shqetësimet lidhur me zgjerimin e turneve ndërkombëtare në një kalendar tashmë të mbingarkuar.


FIFPRO (sindikata globale e futbollistëve), LaLiga e Spanjës dhe shoqata e ligave evropiane kanë dorëzuar një ankesë të përbashkët në Komisionin Evropian për konkurrencë, duke e akuzuar FIFA-n për “abuzim me kalendarin”.


Kritikët e ndryshimeve të fundit në format, veçanërisht të Kupës së Botës për Klube me 32 skuadra që do të zhvillohet çdo katër vjet, thonë se këto turne të zgjeruar do të shtojnë numrin e ndeshjeve dhe do t’u lënë shumë pak kohë pushimi futbollistëve mes sezonave.


Por Infantino, në një intervistë për CNN, tha se ndikimi i këtij turneu në ngarkesën e lojtarëve është i kufizuar:


“Kupa e Botës për Klube zhvillohet vetëm një herë në katër vjet. Fituesi luan gjithsej shtatë ndeshje, që është si të shtosh vetëm rreth një ndeshje e gjysmë në vit. Nuk ka ndikim të madh. Në futbollin botëror kemi shumë ndeshje, por për një numër shumë të vogël ekipesh dhe lojtarësh. Vetëm ata që arrijnë në finalet e të gjitha garave – që është shumë e rrallë – përballen me ngarkesë të madhe. Në fund të fundit, balancohet disi. Por ne jemi shumë të kujdesshëm me kalendarin dhe me shëndetin e lojtarëve. Duam të bëjmë gjithçka që lojtarët të jenë në kushte optimale për të dhënë maksimumin në fushë. Edhe vetë lojtarët më thonë shpesh: ‘Ajo që duam është të luajmë, jo të stërvitemi, apo jo?’”.


Infantino gjithashtu bëri të ditur se një grup pune i FIFA-s, i udhëhequr nga ish-trajneri i Arsenalit, Arsène Wenger, është duke analizuar ndikimin e Kupës së Botës për Klube në mirëqenien e lojtarëve.

Ky informacion është marrë nga Zëri.

Comments (0)