Barcelona do të shpresojë të sigurojë trofeun e dytë për këtë sezon fundjavën e ardhshme, teksa udhëton drejt Seviljes për t’u përballur me rivalët e përjetshëm, Real Madridin, në finalen e Copa del Rey. Megjithatë, nuk do të ketë kohë për festime.


Të paktën ky është mentaliteti i trajnerit Hansi Flick. Kalendari i ngjeshur për Blaugranat do të thotë se, pothuajse sapo të përfundojë finalja e Kupës, do të duhet të nisë përgatitja për gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Interit, që luhet të mërkurën pasuese. Sipas Mundo Deportivo, festimet (nëse ndodhin) do të kufizohen vetëm në dhomat e zhveshjes dhe në fushën e lojës.


Flick dëshiron të shmangë çdo lodhje apo shpërqendrim shtesë përpara sfidës së parë kundër Interit në Montjuïc dhe nuk ka lënë hapësirë në orarin e skuadrës për ndonjë festim. Pas ndeshjes në La Cartuja, do të ketë vetëm një darkë me ekipin, dhe më pas lojtarët do të shkojnë për të fjetur përpara se të rikthehen në Barcelonë të dielën në mëngjes.


Trajneri gjerman e ka theksuar më herët se dëshiron që përqendrimi i skuadrës të jetë vetëm te ndeshja e radhës. Por me kalendarin që po bëhet gjithnjë e më i ngjeshur, Flick po detyrohet të planifikojë me kujdes edhe formacionin. Raportet e fundit tregojnë se do të ketë rotacione ndaj Mallorcës, në ndeshjen e fundit para finales së Kupës, ndërsa këtë fundjavë kundër Celta Vigos pritet të aktivizojë formacionin më të fortë.


Përveç lodhjes që ndjehet te lojtarët titullarë, Flick pa dyshim dëshiron të shmangë edhe ndonjë dëmtim të ri. Edhe pse Dani Olmo është rikthyer, Barcelona vazhdon të jetë pa Marc Casado, Marc Bernal dhe Marc-André ter Stegen, ndërsa humbi edhe Alejandro Balde për shkak të një dëmtimi në fundjavën e kaluar ndaj Leganés.


Edhe pse me një skuadër të shkurtër, Barcelona ka përballuar mirë ngarkesën e ndeshjeve deri tani – por sfidat më të lodhshme janë ende përpara për Flick dhe ekipin e tij.

Ky informacion është marrë nga Zëri.

Comments (0)