
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka treguar se kjo parti nuk shkon në Kuvend për të bllokuar konstituimin e këtij institucioni.
Një ditë para përpjekjes se tretë për konstituimin e Kuvendit, ajo e ka ftuar VV-në dhe Albin Kurti që të reflektojnë.
Ajo ka thënë se Kurti dhe ministrat e tij që janë zgjedhur deputetë duhet të japin dorëheqje.
“Ne nuk shkojmë nesër në seancë për të bllokuar as për të krijuar drama në Kuvend. Shkojmë me insistim për të dalur nga kjo situatë. E ftoj Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti, që njëherë në jetë t’i nënshtrohet ligjit dhe ta respektoj, të jep dorëheqje me shkrim dhe të nesërmen do ta ketë votën tonë tek raporti i Komisionit për mandate”, ka thënë ajo.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së ka thënë se nuk mund të iu kërkohet deputetëve të kësaj partie që të shkelin Kushtetutën.
“Mirëpo nuk mund të kërkohet nga ne, që me vetëdije të plotë, të shkelim ligjet, sepse janë norma të pashmangshme. Ne presim që nesër të ketë reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë fituar 42% të votave, duhet të jenë të përgjegjshëm. Ne duhet të tejkalojmë inatet, egot dhe mëritë, nuk tregohesh as i fortë e as i madh nëse insiston tek një qëndrim, i cili bjen në kundërshtim me ligjin dhe cenon rëndë rendin kushtetues. Ne nuk e kemi luksin të mbesim pa institucione”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka bërë me dije edhe një herë se PDK-së nuk ka votë për asnjë kandidat për kryeparlamentar që propozohet nga LVV-ja.
“Kjo krizë është e krijuar artificalisht, ashtu siç Vetëvendosja e ka uzurpuar Kuvendin, ka uzurpuar edhe Qeverinë sot. Marrin vendim të paligjshme të cilat do të përfundojnë Prokurori. Si tek emërimi i bordeve, tek pozitat e larta dhe vendime të tjera, të cilat i kanë të ndaluara. Sa i përket votës për kryeparlamentar, ne nuk kemi një të tillë për ndonjë kandidat që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Do të marrim pjesë në votim, por nuk do të votojmë asnjë kanidat nga kjo parti”, përfundoi jo./gazetablic
Ky informacion është marrë nga Zëri.
Comments (0)