
Burgimi i përjetshëm mbetet dënimi më i ashpër në Kodin Penal të Kosovës, i cili shqiptohet vetëm për veprat penale më të rënda të kryera në rrethana veçanërisht rënduese.
Mirëpo, avokati Ardian Bajraktari thotë se deri më sot, asnjë dënim i tillë nuk ka arritur të mbijetojë në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
“Burgimi i përjetshëm është njëri prej dënimeve që parasheh kodi penal. Është dënim kapital dhe si i tillë shqiptohet për veprat penale të rënda të kryera në mënyrë veçanërisht rënduese. Për shembull është rasti i vdekjes së rëndë, ku është esencial për t’u shqiptuar një dënim i tillë. Sa i përket praktikës së shqiptimit të këtij dënimi kemi raste, mirëpo i njëjti ka arritur që të sfidohet prej instancave të tjera gjyqësore. Kemi pasur disa raste, mirëpo me kalimin e kohës përmes mjeteve juridike, qoftë ankesës, akoma nuk kemi një vendim, i cili i ka rezistuar të gjitha instancave në mënyrë që kryerësit të shkojnë në vuajtjen e dënimit me burgim të përjetshëm”, tha Bajraktari.
Rasti i fundit që po sfidon sistemin gjyqësor është ai i vrasjes së Marigona Osmanit, ku njëri nga të akuzuarit është dënuar me burgim të përjetshëm.
“Së fundmi një të tillë e kemi ndaj njërit prej pjesëmarrësve në veprën e rëndë të vrasjes së Marigona Osmanit. Aktualisht për të dytën herë e ka kaluar sfidën e Gjykatës së Apelit. Mbetet për t’u parë pasi palët e kanë sfiduar në Gjykatën Supreme përmes mjeteve të jashtëzakonshme juridike. Mbetet për t’u parë rasti i Marigonës a do të jetë rasti i parë, që do të mund t’i rezistojë sistemit të gjykatave”, tha ai.
Sipas ligjit, një i dënuar me burgim të përjetshëm mund të kërkojë lirim me kusht vetëm pas 30 vjetësh vuajtjeje dënimi, me vlerësimin e një paneli profesional mbi shkallën e risocializimit të tij.
“Njëra prej mënyrave për të bërë kërkesë për lirim me kusht është vetëm pasi i njëjti ta ketë kaluar vuajtjen e dënimit më tepër se 30 vjet. Është komisioni, paneli që do ta vlerësojë në rast se është arritur mjaftueshëm shkalla e risociolizimit me qëllim të përgatitjes së personit që në të ardhmen mos të kryej vepra penale”, shtoi avokati Bajraktari./EO
Ky informacion është marrë nga Zëri.
Comments (0)